Ti Shqiperi me jep nder
Koha e shkuar dhe e tashmja moderne, tradicionalja dhe bashkëkohorja, kanë lidhje organike, jetësore, të gjallë midis tyre. Nuk mund të merren të veçuara nga njera-tjetra, pavarësisht kontekstit historik shoqëror, pasi mbështesin, ushqejnë fuqishëm elementë të përbashkët, janë në harmoni dhe nuk kundërshtojnë njera-tjetrën në asnjë rast të vetëm. Ne shqiptarët e kemi të shenjtë truallin, tokën gjeografinë, kufijtë, vendlindjen, familjen, e kemi të hipotekuar besën dhe plot motive të tjera, që e mbajnë shumë lart këtë korpus gjigand vlerash.
E theksoj përsëri dhe sa herë themi: “Ti Shqipëri më jep nder…”, ndihemi krenar, ndihemi shumë me fat që jemi pjesë e këtij komuniteti të bashkuar vlerash, të cilat të tjerët na i kanë zili. Prandaj atdhetari, shkrimtari, poeti Naim Frashëri e ka shkruar me frymëzim veprën letrare të titulluar; “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar…” Është shprehje monumentale kulturore, vepër historike dhe aty është mishëruar gjithë patriotizmi, shpirti shqiptar në shekuj.
Po jap një shembull të thjeshtë për të dhënë të plotë idenë, të cilën dua ta ndaj me lexuesin. Në kohën e eksodit masiv në Shqipëri, si shumë të tjerë mbërrita në një nga qytetet e Italisë. U punësova me shumë vështirësi. Pasi u njoha disi me sipërmarrësin, një ditë m`u afrua pranë dhe me pyeti: sa do të qëndrosh në Itali? Nuk e kam bërë këtë llogari, iu përgjigja. Italiani, një bos i vërtetë, më drejtoi përsëri të njëjtën pyetje. Kishte një enigmë brenda, të cilën nuk po e kuptoja. Përse më pyet?, iu luta të dija se përse ishte fjala. E thjeshtë fare, më tha. Nuk të pyes ko more djalë, qe përgjigja e tij. Sado të punosh e të fitosh, kjo e ardhur nuk të rregullon gjë.
E mira jote është të bësh ca para këtu dhe shko në shtëpinë tënde, në Shqipëri. Italia është për italianët, Shqipëria është për shqiptarët, Amerika është për amerikanët, Europa është për europianët. Më kupton ku e kam fjalën?, shkarkoi emocionet pronari ku punoja. Më erdhi në mend vetëtimthi shprehja në pavdekësi e Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep ndër…” Nuk thonë kot, thashë: Guri i rëndë në vend të vetë. Megjithë plagët e rënda që kemi marrë në trup, për arsye që nuk arrijmë dot t’i shpjegojmë, ne shqiptarët nuk e humbasim, nuk e shesim truallin, nuk e shesim për asnjë çmim shqiptarizmën tonë të florinjtë, nuk e tjetërsojmë traditën shekullore, të ardhur përmes brezave në shekuj. Dhe bëjmë shumë mirë që e ruajmë më fanatizëm këtë pasuri shekullore. Na duhet gjuha, flamuri, toka, shpirti i paepur, i kemi të shenjtë gurët varret, barin dhe krenohemi që mbajnë në ballë shqiptarinë tonë të fituar me djersë, me mund, me gjak. E tillë ka qenë historia e këtij populli, ndaj dhe me të drejtë ky vend e ka Flamurin më të bukur në botë. Jemi përballuar në këto vite demokracie në tranzicion me tragjedi nga më ekstremet, kemi provuar të mbajmë mbi supe legjenda nga më të çuditshmet.
Këtu, midis nesh, kemi parë viktima të shkaktuar për arsye nga më të çuditshmet, kemi derdhur lot sa nuk ka ku shkon më, kemi mallkuar ata që na shkaktuan tragjeditë, i kemi parë e njohur konkretisht ata që na kanë kthyer pushkën e hasmit, që na kanë thyer kockat së gjalli, jemi ligështuar, hidhëruar dhe pas të gjitha këtyre kemi thënë prapë “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar…” Në rrethana të mistershme i jemi kthyer kohës, ngjarjeve, historisë së trishtë dhe diçka e magjishme na e ka zbutur zemrën, duke pohuar fjalën e çmendur falje. Kështu ka ndodhur, jo një herë. Ka ndodhur, jo për të larguar një iluzion, një mëkat, por shqiptarët dinë të falin, si të falin dhe kur falin. Kjo është shqiptaria, këta njerëz jemi ne, komuniteti që është, sa i ashpër në dukje, aq edhe shpirtdhimbsur, aq njerëzor e modern.
Deputetët tanë në Parlament kanë marrë shuplaka nga njeri-tjetri, pas debatesh të ashpra, për çështje parimore, ligjore, historike apo edhe emocionale. Eshtë përdorur fjalor banal, fjalë të rënda sikur këta deputetë të kenë ardhur nga një komunitet pylli. Hajdut, kriminel, trafikant, inçest në familje, vjedhës i taksave të qytetarëve, hajdut bankash. Kemi disa dekada që përdoret një retorikë e tillë, e cila për hirë të së vërtetës nuk na duhen në të përditshmen tonë. Por kjo nuk është thelbësore në këtë proces të gjatë e të vështirë që kemi përpara.
Nuk na vjen aspak mirë që ndodh kështu, sepse kjo etikë është jashtë çdo norme komunikimi intelektual, veçanërisht në daljet publike. Shembuj ka plot, por ajo që na bënë të ndjehemi mirë është finalizimi i shumë çështjeve për të mirën e kombit, për të mirën e shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë. Dhe si të mos ndihesh i lumtur kur bashkohen votat, gjendet mirëkuptimi për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Të gëzon zemra dhe lumturisht të vjen të thuash me zë të lartë: “Ti Shqipëri më jep nder…”
Miratimi i paketës së reformave për integrimin e Shqipërisë në BE nuk ka qenë dhe nuk mbetet i lehtë. Ka kundërshti mes palëve politike, ka mosdakordësi për çështje të caktuara, por kjo nuk do të thotë se reformat nuk do finalizohen,Të gjitha qeveritë në detyrë, kanë patur sukseset e tyre, kanë patur edhe dështime. Janë kritikat për mangësitë, janë ballafaquar me forma të ndryshme demokratike dhe kjo është normale të ndodhë. Do bien qeveri, do ngrihen qeveri. Kjo është dinamika e jetës shoqërore.
Ajo që ka rëndësi mbetet se ky vend ka potenciale të bollshme intelektuale, akademike njerëz të përkushtuar punës dhe funksioneve shtetërore e shoqërore dhe vlejnë të përgëzohen. Nuk është aspak normale që njerëz të ndryshëm për arsye të veçanta politike, ideologjike i kanë në majë të gjuhës, sharjet, fyerjet, hedhin në det çdo arritje, thua se këtu nuk punohet, nuk ka intelektual dhe njerëz të mençur. Këta opozitarë të përjetshëm janë gatuar të tillë, të cilët investohen aq shumë për të nxjerrë kapital në funksion të mosndëshkueshmërisë.
Me gjithë ndonjë tronditje, jo të parëndësishme të marrëdhënieve mes shqiptarëve, integrimi është i sigurtë, që do të thotë se jemi në drejtimin e duhur. Shprehja e famshme: Ti Shqipëri më jep nder…” është fuqia që Zoti i ka dhënë këtij populli, njerëzve të mençur dhe liridashës, për të triumfuar mbi çdo pasiguri, mbi çdo barrierë, sado e lartë të jetë.
LEXO TE NGJASHME