SHTEPIA E TRADITES GJINAR
GJINAR, ELBASAN
0696116066
SHTEPIA E TRADITES
E ndërtuar sipas traditave të Shpatit, me kombinimin e gurit me dru, me arkitekturë të këndshme e ambiente të ngrohta e mikpritëse, Shtëpia e Traditës, pikërisht këtë ka si qëllim, që t`i ofrojë turistit ngrohtësinë e shtëpisë e jo thjesht një dhomë hoteli. Oxhaku në dhomën e ndenjjes, një gotë verë pranë zjarrit, bisedat me miqtë e rastësishëm që do të gjeni në bujtinë, e shton pa masë kënaqësinë e qëndrimit në Gjinar. Është shumë e rëndësishme që të ndjeheni mirë, për të qenë të çlodhur e të freskët, nëse për shembull keni vendosur që Gjinari ta vizitoni në mënyrë aktive, duke organizuar ture ose ekskursione në zonë. Ardjani do t`ju ndihmojë jo vetëm për qëndrimin tuaj tek Shtëpia e Traditës por edhe që të njiheni më mirë me të gjithë zonën e Shpatit, të vizitoni kishat, të bëni piknikë në natyrë e pse jo, të planifikoni edhe në ditët kur ka festa lokale, të cilat këtu organizohen me shumicë. E ku ka më bukur se pushimet tuaja të pasurohen me festën “Miqtë e Malit” ku përveç të gjitha gjërave të bukura që ka festa, si ushqimet tradicionale, panairet, lojrat, të shijoni edhe këngët dhe vallet e bukura të Grupit të Shpatit. Ky grup ka dhënë me dhjetëra shfaqje brenda e jashtë Shqipërisë dhe është pjesë e pandarë e të gjitha festave që bëhen në Gjinar dhe në të gjithë zonën e Shpatit.
Shtëpia e Traditës nuk është shumë e madhe e ndoshta nuk mund të presë shumë turistë njëherësh, por është një shembull i shkëlqyer se si duhet të ndërtohen strukturat pritëse në një fshat turistik, që të plotësojnë shumë standarte e jo vetëm atë të fjetjes, nëse nesër duam të kemi një turizëm të qëndruseshëm e me vlera. Investime të tilla duhet të shihen si modele për të ardhmen, kur Gjinari do të mbushet plot me turistë e kur shtëpitë e tjera që do të ngrihen të jenë si Shtëpia e Traditës, një shtëpi ku turisti ndjehet mik e ikën me mbresa të paharrueshme.