Të vendosur për t’u pasuruar: Si ndikon kjo te ju?

 

love of moneyNË NJË botë ku më shumë se 850 milionë njerëz janë të uritur, mund të jetë e vështirë të mendosh se paraja e madhe mund të të sjellë probleme. Çfarë ndodh kur njerëzit jetojnë për pasurinë dhe për gjërat që blihen me para? Në fillim shqyrtoni se si ndikon kjo te fëmijët e tyre.

Si ndikon te fëmijët?

Është llogaritur se brenda vitit, një fëmijë amerikan sheh afërsisht 40.000 reklama në televizor. Shtojuni këtyre videolojërat, pajisjet moderne për muzikë, programet kompjuterike, rrobat firmato që fëmijët shohin në dyqane dhe në shtëpitë e shokëve, e pastaj përpiquni të imagjinoni breshërinë e kërkesave që u bëjnë prindërve. Disa prindër u plotësojnë fëmijëve çdo dëshirë. Pse?

Ngaqë vetë nuk janë rritur mes luksit e mes të mirave, disa prindër bëjnë çmos që fëmijët e tyre të mos ndihen të privuar për asgjë. Prindër të tjerë kanë frikë se po të mos ua plotësojnë dëshirat fëmijëve, ata nuk do t’i duan më. «Ata duan që të jenë shokët e ngushtë të fëmijëve të tyre dhe bëjnë çmos që fëmijët të zbaviten»,—tha një nga themelueset e një rrethi shoqëror për prindër në Boullder, Kolorado, SHBA. Prindër të tjerë shpresojnë se dhuratat e shumta do të kompensojnë gjithë atë kohë që ata kalojnë në punë, larg fëmijëve. Një arsye tjetër mund të jetë që pas një jave të gjatë stresuese, prindi nuk ka nerva të durojë grindjen që do të ndezë patjetër përgjigjja: «Jo, s’ke për ta blerë.»

Por, po i ndihmojnë apo po i dëmtojnë fëmijët prindërit që u plotësojnë çdo kërkesë? Si për ironi, përvoja tregon se në vend që ta duan më shumë mamin dhe babin, fëmijët e llastuar shpesh bëhen mosmirënjohës. Madje nuk i vlerësojnë as dhuratat për të cilat iu lutën kaq shumë prindërve. Drejtoresha e një shkolle të mesme tha: «Nga përvoja kam parë se kur fëmijëve u plotësohet në vend çdo tekë, pas dy javësh, shpesh nuk u pëlqejnë më gjërat për të cilat u ra goja gjersa i morën.»

Çfarë ndodh me fëmijët e llastuar kur rriten? Sipas revistës Newsweek, studimet tregojnë se ata bëhen njerëz «që mezi i përballojnë zhgënjimet e jetës». Ngaqë nuk janë mësuar të derdhin mund për ato që marrin, disa prej tyre nuk janë të zotë në shkollë, në punë dhe në martesë, e kështu mbeten ekonomikisht të varur nga prindërit. Gjithashtu, mund të jenë të prirur ndaj ankthit dhe depresionit.

Pra, në fund të fundit, fëmijët e llastuar privohen nga disa gjëra. Atyre nuk u jepet mundësia të kuptojnë vlerën e punës, të ndihen të dobishëm dhe të ndihen të pasur brenda. Psikoterapistja Xhesi O’Nil paralajmëron: «Po t’u mësoni fëmijëve se mund të kenë çfarë të duan dhe kurdo që ta duan, po hidhni themelin për një jetë të palumtur.»

Si ndikon te të rriturit?

Sipas revistës Psychology Today, nëse jeni të martuar, «pavarësisht nga sa kohë ose nga paratë që keni, ka shumë mundësi që herës tjetër të grindeni për para». Gjithashtu në të thuhet se «mënyra se si një çift i zgjidh mosmarrëveshjet dhe problemet që lidhen me paratë, mund të tregojë nëse lidhja do të ketë jetë të gjatë apo do të dështojë». Një çift që u jep tepër rëndësi parave dhe gjërave materiale, është e qartë se e rrezikon më shumë martesën. Dhe vërtet, grindjet për paratë janë faktori kryesor në 90 për qind të divorceve.

Megjithatë, edhe kur bashkëshortët nuk ndahen, kanë probleme në martesë nëse ata përqendrohen te paratë dhe te gjërat luksoze që blihen me to. Për shembull, në qoftë se kanë borxhe, bashkëshortët mund të acarohen e të marrin flakë kollaj, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit për problemet financiare. Në disa raste secili nga bashkëshortët është kaq i dhënë pas gjërave të veta materiale, saqë i mbetet fare pak kohë për bashkëshortin tjetër. Ç’ndodh kur njëri blen diçka të shtrenjtë dhe ia fsheh tjetrit? Kjo sjell mbajtjen e sekreteve, ndjenjën e fajit dhe të mosbesimit, e që të gjitha këto e gërryejnë martesën.

Disa njerëz, qofshin të martuar ose të pamartuar, kanë sakrifikuar jetën në kuptimin e plotë të fjalës, për materializmin. Disa në Afrikën e Jugut, kanë tentuar të vrasin veten, nga stresi për të arritur stilin materialist të Perëndimit. Në Shtetet e Bashkuara një burrë vrau gruan, djalin 12-vjeçar dhe veten, me sa duket, për shkak të problemeve financiare.

Sigurisht, shumica e njerëzve nuk vdesin ngaqë rendin pas parave. Megjithatë, jeta mund t’u kalojë pa e kuptuar, teksa humbin në vorbullën e kërkimit të parave. Veç kësaj, jeta mund t’u vështirësohet nëse stresi i punës ose stresi për paratë u sjell kriza paniku, pagjumësi, dhembje koke kronike ose ulcerë—probleme shëndetësore që mund t’ia shkurtojnë jetën njeriut. Edhe nëse më në fund një njeri e kupton se gjëra të tjera kanë më shumë vlerë, mund të jetë tepër vonë. Bashkëshorti ndoshta nuk e beson më, fëmijët tashmë mund të jenë dëmtuar emocionalisht dhe shëndeti t’i jetë shkatërruar. Mbase dëmi deri diku mund të ndreqet, por do t’i duhen goxha përpjekje. Këta njerëz vërtet «janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje».1 Timoteut 6:10.

Çfarë dëshironi?

Shumica e njerëzve dëshirojnë një familje të lumtur, shëndet të mirë, një punë të dobishme dhe mjaft para që të bëjnë një jetë pa kokëçarje. Për t’i pasur të katërta këto duhet ekuilibër, por kur interesi kryesor bëhen paratë, ky ekuilibër prishet. Që të kthehen sërish në rrugë të mbarë, shumë njerëzve u duhet të pranojnë një rrogë më të ulët, një shtëpi më të vogël ose një pozitë shoqërore më të ulët. Sa prej tyre janë gati t’i sakrifikojnë këto lukse për hir të gjërave më me vlerë? ‘E di që nuk kam nevojë për to,—pranoi një grua,—por është tepër e vështirë të heqësh dorë prej tyre.’ Të tjerë dëshirojnë të heqin dorë, por nuk duan të jenë të parët për këtë.

Po ju? Nëse tashmë keni gjetur një mënyrë për t’i mbajtur paratë dhe gjërat materiale në vendin e duhur, jeni për t’u lavdëruar. Nga ana tjetër, a po e lexoni me nxitim këtë artikull ngaqë niveli juaj i jetesës ju merr shumë kohë? A jeni ndër ata që e shohin të nevojshme të heqin dorë nga diçka materiale për të qenë më mirë fizikisht dhe emocionalisht? Atëherë veproni me vendosmëri, para se materializmi të nisë veprimin e tij shkatërrimtar në familjen tuaj. .

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.