Kurti dhe Osmani takojnë sot krerët e partive për formimin e institucioneve
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani nisin sot takimet me partitë politike pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kurti dhe Osmani gjatë ditës do të takohen me kreun e PDK dhe atë të AAK, pasi katër ditë më parë u kanë dërguar nga një letër, njofton RTK.
Kurti dhe Osmani të dalë të parët nga zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kërkuar takim me shefin e LDK, atë të PDK dhe AAK në mënyrë që të dakordohen për formimin e institucioneve të reja.
Kreu i VV e prijësja e Listës “Guxo" kanë kërkuar nga kreu në detyrë i PDK, Enver Hoxhaj që të takohen sot në ora 11:00. Hoxhaj dhe PDK e kanë pranuar ftesën e rrjedhimisht ky takim do të mbahet në këtë orë sot në Kuvendin e Kosovës.
Një takim, dyshja do ta mbajë edhe me Ramush Haradinajn, kreun e AAK, konsultë për formimin e institucioneve të reja në ora 13:30.
Megjithatë, takim me Osmanin e Kurtin nuk do ta mbajë LDK. Kryetari i zgjedhur i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku nuk është shprehur i gatshëm që të shihet me liderin e VV dhe Osmanin në ditën e parë të punës si kryetar i Lidhjes Demokratike. Takimi që ishte thirrur për sot në orën 12:30, sipas Abdixhikut mund të mbahet të premten:
“Tani për shkak të rrethanave të tanishme, gjëja e parë që do ta bëj nesër është që do të dal në zyrat e LDK-së. Unë e falenderoj konstruktivitetin e zonjës Osmani dhe z. Kurti në lidhje me ftesën. Besoj që kjo është qasja e duhur se si duhet të sillemi, por e kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona dhe konsultave të brendshme. Gjithsesi propozoj të premten si datë për takimin eventual në formatin e njëjtë siç është kërkuar”, ka thënë Abdixhiku dje pasi që me shumicë të votave është emëruar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LEXO TE NGJASHME