Donacionet për Rindërtimin: 750 mln euro kredi e rrisin borxhin në 72%

Konferenca e donatoreve kredia per termetin

Rreth 750 mln euro nga totali i fondeve të mbledhura në Konferencën e Donatorëve në Bruksel janë kredi dhe projekte.

Pas Konferencës së Donatorëve, ministri i Zhvillimit, Arben Ahmetaj, sqaroi se si ndahet fondi i mbledhur me vlerë 1,15 mld euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

Ahmetaj tha se 400 milionë euro nga totali i fondit janë donacione, ndërsa 750 milionë euro janë kredi e butë. “Rreth 400 milionë euro janë grante, pra që do të thotë se janë para që nuk na i japin borxh, por na i dhurojnë. Pjesa tjetër 750 milionë euro janë kredi e butë, që do të thotë me një kosto shumë të ulët qoftë në aspektin e kostos së parasë dhe kostos së operacionit, pra nuk janë kredi tregtare”, tha Ahmetaj.

Sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në shifrat e kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2021–2023, kredia që do t’i jepet Shqipërisë për rindërtimin e zonave të dëmtuara zë 5,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të këtij viti.

Kjo kredi e rrit borxhin publik në raport me GDP-në, nga 66,2% që ishte në fund të 2019-s, sipas të dhënave të Kuadrit, në gati 72% të PBB-së.

Interesat e kredive

Ministri i Zhvillimit, Ahmetaj tha se fondet e mbledhura si kredi nuk do të jenë me interesa tregtare, por më të ulët se 2%. “Ishte një mbështetje spektakolare, dhe solidaritet për familjet që kanë humbur pjesëtarët e tyre.

Shumë prej këtyre kredive, interesat i kanë të përcaktuara dhe janë nën 2%. Kredia e Bankës Islamike, që është 365 milionë euro, është me interesa gati gati te 1%”, u shpreh Ahmetaj.

Franca dhuroi 1 milion euro

Ministri i Zhvillimit sqaroi edhe dhënien e fondeve të Francës, të cilat ishin të paqarta. Sipas tij, Franca dhuroi 1 milion euro, ndërsa 100 milionë euro janë projekte për rizhvillimin ekonomik. Franca dha një kredi prej 60 milionë eurosh për rindërtimin e rrjetit të ujit të pijshëm të dëmtuar nga tërmeti.

Konferenca e Donatorëve

Konferenca ndërkombëtare e Donatorëve, u thirr nga Presidentja Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen. Kjo konferencë “Së bashku për Shqipërinë”, u mbajt pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit, ku u prekën rreth 200 mijë qytetarë dhe 51 të tjerë humbën jetën.

Komisioni Europian, në ndihmë të Shqipërisë, dha 115 milionë euro fonde, ku 15 milionë ishin grante për rikonstruksionin e shkollave.

Shqipëria prezantoi faturën me vlerë 1 miliard euro si kosto për rindërtimin dhe zhvillimin e zonave të prekura.

Pjesën më të madhe të fondeve të dhënë e zënë kreditë e buta, si ajo e Bankës Botërore me vlerë 160 milionë euro për strehimin, 360 mln euro nga Banka Islamike për Zhvillim, 100 mln euro nga Banka Europiane e Investimeve, si dhe 80 mln euro nga BERZH.

Shtetet që kanë dhuruar shumat më të larta ishin Gjermania, 11 mln euro; Suedia 5,6 mln euro; Serbia 1 mln euro, ndërsa Italia deklaroi se 65 mln euro janë identifikuar si burime financiare.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.