Draft-raporti/ Tërhiqen 4 ligje për drejtësinë
Maxhoranca qeverisëse ka tërhequr katër projektligje nga paketa me 27 nisma ligjore në kuadër të plotësimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Kuvendi ka miratuar 17 projektligje, gjashtë nisma ligjore janë në proces shqyrtimi, ndërsa katër projektligje janë tërhequr. Të dhënat pasqyrohen në një draft-raport të Ministrisë së Drejtësisë mbi ecurinë e zbatimit të reformave në sektorin e drejtësisë nga data 1 janar 2018 deri në datën 2 nëntor po të këtij viti.
Konkretisht janë tërhequr projektligji “Për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, nisma me disa ndryshime ne ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve, projektligji për ndryshimin e ligjit për “Avokaturën e Shtetit” si dhe projektligji “Për provimin e shtetit për profesionin e juristit”.
Projektligji për Presidencën
Projektligji i tërhequr për organizimin dhe funksionimin e Presidencës qartësonte kompetencat dhe sjelljet e Presidentit. Në nenin 14 të projektligjit saktësohej që Presidenti duhej të shprehet me dekret brenda 7 ditëve për emërimin ose shkarkimin e ministrave, në bazë të propozimeve të kryeministrit. Ndërsa në rastet kur vendi i ministrit mbetet vakant, kryeministri i propozon Presidentit emërimin e një ministri tjetër, ku Presidenti brenda 7 ditëve shprehet me dekret për largimin e ministrit dhe emërimin e ministrit të ri.
Neni 98 i Kushtetutës parashikon që “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve”, duke mos theksuar se Presidenti duhet të shprehet për pranimin ose refuzimin e ministrit. Gjithashtu, projektligji parashikonte edhe afatin brenda të cilit ministri duhet të bëjë betimin. Konkretisht “pasi dekretet e emërimit janë votuar "pro" nga Kuvendi, ministrat bëjnë betimin para Presidentit, brenda një jave nga dhënia e pëlqimit të Kuvendit”.
Ndryshimi i strategjisë
Në raport, Ministria e Drejtësisë thekon se institucionet kanë raportuar nevojën për rishikimin e planit të veprimit të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë, për shkak të bllokimit të institucioneve të reja të drejtësisë. “Kjo nevojë për rishikim lidhet kryesisht me faktorë si moskrijimi në kohë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë si Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, SPAK si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. rishikimin e aktiviteteve dhe/apo treguesve të saj të zbatimit në mënyrë që të sigurohet një përputhshmëri më e mirë me realizimin e qëllimit.
Ndryshimin e përgjegjësisë institucionale për zbatim dhe/apo institucioneve bashkëpunuese, pasi jo në pak raste vihet re që ka problematikë në përcaktimin e institucionit përgjegjës për realizimin e një aktiviteti. Realizimin e gjithërfshirjes së aktorëve të sistemit të drejtësisë në planifikimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit në përputhje me objektivat e Strategjisë por dhe në kuadër të fushës së përgjegjësisë të çdo institucioni”, thuhet në draft-raport.
LEXO TE NGJASHME